Përdoruesit përfundimtarë janë prioriteti i parë në implementimin e aktiviteteve të mbështetura nga GCERF |
E martë, 15 nëntor 2022 15:16 | |||
Gjithsej 17 përfaqësues të tetë konzorciumeve që implementojnë projekte të financuara nga Fondi Global i Angazhimit dhe Rezistencës së Komunitetit (GCERF) më 9 nëntor 2022 diskutuan sfidat kryesore të implementimit të aktiviteteve të parashikuara, mësimet e nxjerra për proceset e risocializimit, rehabilitimit dhe riintegrimit (RRR) në përgjithësi, ndikimet kryesore, historitë e suksesit dhe përvojat me institucionet nacionale. Të gjitha projektet kanë për qëllim mbështetjen e të kthyerve nga fushëbetejat e huaja dhe familjet e tyre, por në një kuptim më të gjerë ato përfshijnë komunitetet si dhe institucionet që punojnë në këtë çështje. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen organizatat në implementimin e aktiviteteve të planifikuara është inflacioni i shkaktuar nga kriza ekonomike dhe energjetike. Përveç kësaj, ata adresuan edhe sfidat institucionale. Armela Jaho nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) nga Shqipëria foli për aktivitetet në shkolla. Sipas saj, me dekret të Ministrisë së Arsimit, organizatat e shoqërisë civile mund të realizojnë vetëm aktivitete që janë pjesë e programit të rregullt dhe mësimdhënësit janë nën presion duke tentuar të fusin programe shtesë për nxënësit. Për organizatën Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza (Conselling Line for Women and Girls) nga Shqipëria, një nga problemet është ruajtja e vazhdimësisë së pjesëmarrjes së fëmijëve të të kthyerve nga fushëbetejat e huaja në aktivitetet e planifikuara për ta. Ejnxh Pepa nga CLWG theksoi se pjesë e aktiviteteve të tyre janë edhe seancat private me fëmijët e familjeve të të kthyerve, ku dinamika nuk mund të ruhet gjithmonë për arsye të ndryshme. Për të motivuar përdoruesit dhe për të rritur vullnetin e tyre për të bashkëpunuar, ata ofrojnë edhe mbështetje të tjera në bashkëpunim me Zyrën për Mbrojtjen e Fëmijëve. Albana Izeti nga Terre de Hommes nga Shqipëria theksoi ndryshimin në hierarkinë e Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm si sfidën më të madhe. Gjegjësisht, deri në maj të vitit 2022, kjo qendër ka qenë në kompetencë të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, por që nga ajo datë e tutje është nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të gjitha këto ndryshime kontribuan në zgjatjen e miratimit të Strategjisë Kombëtare, e cila është një ndërthurje e luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Pjesëmarrësit iu referuan edhe sfidave në punën me mediat. Kreshnik Gashi nga BIRN Kosovë theksoi se kanë bashkëpunim dhe mbështetje të mirë nga mediat, ndërsa Ejnxh Pepa nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza theksoi fenomenin e sensacionalizimit të kësaj teme dhe sfidat në krijimin e përmbajtjeve për mediat sociale si Youtube. Afrodita Musliu nga Nexus-Civil Concept dhe Nazif Avdi nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj (MYLA) folën për procesin e përgatitjes së dokumenteve të reja strategjike të Komitetit Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftës Kundër Terrorizmit, dhe Meral Musli Tajroska nga Organizata Pleiades ndau përvojat e tyre nga puna e drejtpërdrejtë me të kthyerit nga fushëbetejat e huaja dhe familjet e tyre, duke krijuar besim dhe mbështetje në ushtrimin e të drejtave të tyre. Të pranishmit u pajtuan se puna në terren, me përfituesit e drejtpërdrejtë ka shkaktuar ndryshime në planet e tyre fillestare, por të njejtat ishin të nevojshme për të plotësuar nevojat e atyre për të cilët synohen aktivitetet. Shkëmbimi i përvojave me kolegët nga rajoni është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të përballuar më lehtë sfidat gjatë implementimit të aktiviteteve. Takimi i Platformës Rajonale Joformale është pjesë e programit Rruga drejt rezistencës dhe riintegrimit të familjeve të cenueshme në komunitet (RRP) implementuar nga MCMS në partneritet me NEXUS – Civil Concept, Iniciativa për Perspektivë Evropiane, Pleiades dhe Horizon Civitas, mbështetur financiarisht nga GCERF.
|