Informim dhe koordinim i ndërsjellë për aftësim të grave |
E hënë, 08 korrik 2013 08:37 | |||
Më 4 korrik 2013 në MCMS, u mbajt mbledhje koordinuese dhe informuese e organizatave të cilat e zbatojnë projektin në suazat e grant-skemës “Përmirësimi i mundësive për punësim në tregun e punës së grave të bashkësive etnike pakicë” nga Komponenti 4 i Instrumentit për Ndihmë Paraaderuese (IPA): Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë prej shtatë projekteve, të Sektorit për Financim Qendror dhe Lidhjen e Marrëveshjeve (SFQLM), Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), Delegacioni i Bashkimit Evropian, si dhe i një projekti i Komponentit 4 të IPA-s. Në pjesën e parë organizatat i kanë shkëmbyer përvojat prej zbatimit të deritanishëm të projekteve. Janë identifikuar rreth 1.000 gra, të cilat në mënyra të ndryshme përfshihen në këto projekte, d.m.th. kurse për gjuhë, kompjuter, zanate, aftësi komunikuese, aftësi për punësim, për normativën ligjore, si dhe trajnim nëpërmjet punës në ndërmarrje. Në suazat e projektit u formuan inkubator-biznesi në mjediset rurale, klube për punësim të grave, u promovuan këshilltaret rome për punësim, bëhen analiza për nevojat lokale dhe ofertën e tregut të punës, krijohen biografi të shkurtra dhe plane për zhvillim personal të grave të përfshira, shqiptare, turke, boshnjake, rome etj. Projektet zbatohen në shumë rajone të Maqedonisë. Pjesa e dytë u dedikohej problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohen organizatat gjatë implementimit të projekteve në terren, por edhe gjatë administrimit të tyre. Mospërputhja e kërkesës me ofertën e fuqisë së punës, pritjet e ndryshme të shfrytëzuesve dhe ndërmarrjeve, mungesa e ligjëruesve të kurseve për tema të caktuara, siç janë zanatet, mënyra e përfshirjes së shfrytëzuesve në ndërmarrje dhe mbulimi i shpenzimeve janë një pjesë e problemeve në terren. Procesi i furnizimit, i cili zbatohet sipas Udhëzuesit Praktik për Procedura për kontrata të BE-së (PRAG), shkakton shtyrje të një pjesë të aktiviteteve në këto projekte. Kjo nga njëra anë ka të bëjë me papërvojën e organizatave për zbatim të furnizimeve, mungesa e furnizuesve apo mosinteresimi i furnizuesve për rajone të caktuara, dhe nga ana tjetër për shkak të periudhës më të gjatë që u nevojitet institucioneve përgjegjëse për miratim. U aktualizua përsëri dhe pyetja për njohjen e tatimit personal, si një shpenzim i pranueshëm në projektet e financuara nga BE-ja. Institucionet përgjegjëse thanë se edhe për këtë grant-skemë, tatimi nuk do të jetë i pranueshëm. Nga ana tjetër, organizatat kanë obligim ligjor ta paguajnë tatimin pothuajse për të gjitha shpenzimet në projekte, kurse nuk kanë mundësi ta kthejnë atë, që shkakton një ngarkesë shtesë financiare për organizatat qytetare. Takimi u mbajt në suazat e projektit të MCMS-së “Aftësimi i grave të prekura nga konflikti” i cili zbatohet në partneritet me Florens Najtingel, Iniciativën për Perspektivë Evropiane dhe Rekanski biser. Qëllimi i programit është mbështetja e qasjes së grave të prekura nga konflikti deri në tregun e punës.
|